torna a medea



      torna all'indice

Elegji
per te mbyturit
e te
premtes para pashkeve

di
Visar Zhiti



Dallgët e tmerrit i afrohen bregut,
kuja qull këmbët e mia
e më futet në trup,
ma lëkundin zemrën si varkë e goditur që po mbytet.

Në fund të detit
si në fund të botës
shkuan fëmijët - ëngjëj
dhe gratë - sirena tragjedie. Përsiper shkumbëzojnë
harrimet dhe braktisja.
Anija u përmbys bashkë me atdheun
dhe u kthye në arkivol.
Deti - varr.
U nisën për në bregun e ëndërrës
dhe ranë në hum(b)nerat e thella, të turbullta
dhe të frikshme si
ndërgjegjet e përbindshave.

Gratë e lanë të zbrazët shtratin e natës - guackë
e madhe e fatit. Dhe qirinjtë e pashkëve
u bënë yje që shuhen mbi det.
Fëmijët nuk i mbaruan lodrat.
Peshqit do të lozin me jetët e tyre
të pafajshme,
me skeletet prej rrezesh të dritës.

Gojët e ulërimave
i mbush uji i vdekjes,
prandaj s'ulërijmë dot.
Po era ç'avit kështu, floknajën e dashurisë
së mbytur?

E dallgët nxjerrin në bregjnje kukull jetime,
një libër përrallash të mundura
në përleshje.

Po dhe atëhere
kur u përmbyt bota,
Arka e Nojes i shpëtoi rrëmetit,
vetëm njerëzit e mij duhej të binin në fundin më të zi
të botës
pa botë.

Sa shumë det, ç'thellësira t(m)erri,
ku tallazitet fati ynë,
kemi krijuar me lotët.

Epilog

Në breg të detit,
nën shkulmet e dhimbjes më të madhe,
nxjerr kufomat e mia të jetës, një nga një nxjerr
ditët e mia të mbytura,
u varen krahët si epilogë të lagur flamurësh të asgjësë,
i vë me radhë mbi zallin e shkretë si mëshira.
Eja, Botë,
t'u futim frymë nga gojët tona, sa pa u bërë vonë,
ndërsa agimi perlëzohet nëpër sytë e ngrirë e
të hapur
që kurrë s'mbyllen më!
Si deti.

Romë, prill 1997

Visar Zhiti



torna all'inizio di questa pagina
torna all'indice

mise en page:      
pmusarra
      




torna a medea